Parathënia e librit nga Dritëro Agolli

"Shekulli i argjendte" ne poezine ruse eshte quajtur periudha, kur krijuan poetet simboliste, futuriste, akmeiste, imanizhiste, konstruktiviste e te tjere. Kjo periudhe, qe nga fillimi i shekullit te 20- te dhe deri ne prag te viteve 30-te, ka qene nga me te begatat ne poezine moderne ruse me personalitete te tille me fame boterore si Majakovski, Blloku, Esenini, Pasternaku, Ahmatova, Bjelli, Sollogubi, Mandelshtami, Cvetajeva e me radhe, - nje pyll i tere kolosesh. Te gjithe keta menduan se Revolucioni i Tetorit do te hapte nje epoke te madhe, ku do te lulezonin rryma dhe metoda nga me te cuditshmet jo vetem ne artin poetik, por ne tere artet. Dhe vertete, deri ne vitet 30-te ne shoqerine ruse, vecanerisht ne qytete te tille si Sankt-Petersburgu, Moska dhe Odese, zjenin mendimet pluraliste per poezine dhe artet e tjera ne grupime poetesh dhe artistesh, ne rryma dhe shkolla nga me te habitshmet; vlonin kuvendimet, debatet dhe kundershtimet, aq te mprehta, sa ndonjehere perfundonin ne zenka dhe ne grindje te papelqyshme. Keta nuk ishin vetem poete, po edhe teoriciene dhe eseiste qe jepnin mendime me vlera te medha per rrymat dhe shkollat qe perfaqesonin dhe per artin poetik ne pergjithesi, mendime qe edhe sot terheqin vemendjen e studiuesve dhe artisteve. Te tille jane Blloku, Bjelli, Brjusovi, Gumilovi, Khlebnikovi, Sollogubi, Ivanovi e plot te tjere. Ne mendimet e tyre ata shpesh dilnin nga kornizat e rrymave ku benin pjese. Ishin vertete njerez me kulture te gjere, - poete dhe filozofe, qe sot jane te rralle jo vetem ne Rusi, po edhe ne Evrope.

Nga rrymat e para poetike ishte ajo e simbolizmit, qe lindi ne vitet 90-te te shekullit te 19-te me plejaden e simbolisteve te vjeter: Balmontin, Minskin, Mezherkovskin, Sollogubin, Gippiusin dhe Brjusovin te ndikuar nga simbolizmi francez. Pastaj erdhen te rinjte e shekullit 20-te me Bllokun, Bjellin, Ivanovin dhe Solloviovin. Ata kishin edhe shtepite e tyre botuese "Skorpion" dhe "Grif" bashke me revistat letrare "Vjesi" (1904-1909) dhe "Zollotoe runo" (1906-1909). Sipas simbolisteve ruse, bota reale eshte pasqyre e botes se pertejme, e cila nuk mund te njihet me mjetet e arsyes, por vetem me anen e simbolit, te krijuar me intuiten e artistit. Me kete ata e mohonin realizmin ne art dhe rendesine shoqerore te krijimtarise. Te pakenaqur dhe te deshperuar nga realiteti, ata ia kundervune shoqerise lirine individuale, e cila shpesh perfundonte ne anarki. Forma per simbolistet ishte gjithcka. Duke synuar ne persosjen e formes, ata e pasuruan poezine ruse me sisteme te reja figurative, me gjuhe te begate dhe me strukture te sintakses poetike elegante ne ritme dhe me rima te reja, me nje muzikalitet te lakmueshem.

Pas 1920-s simbolizmi rus mori tatepjeten. Brenda tij, qe nga 1912-ta, filloi te linde akmeizmi, qe vjen nga fjala greke "akme" dhe qe do te thote maje apo kulm. Kjo rryme lindi me Ahmatoven, Gumilovin dhe Mandelshtamin, qe grupoheshin rreth revistes "Apollon". Akmeistet ishin reformiste te simbolizmit dhe vinin ne plan te pare pasqyrimin e botes "tingelluese dhe te bukur, qe ka forme peshe dhe kohe". Me gjithe interesin per realitetin, ndryshe simbolisteve, akmeisteve u mbeti misticizmi dhe here-here edhe formalizmi. Disa nga ata si Gumilovi, i kenduan "individit te fuqishem".

Une i permenda akmeistet fill pas simbolisteve, pasi jane prane njeri-tjetrit ne konceptet per poezine dhe ne praktiken e procesit krijues, me gjithe ndryshimet e vogla mes tyre, per te cilat fola pak me larte. Por po t'i permbahesha radhes sipas kronologjise, para akmeisteve duhej te renditja futuristet per arsye se ata dolen ne horizontin e poezise ruse pak me pare. Me nje fjale, zeri i futurizmit ne Rusi u ndie aty nga viti 1910 ne pikture dhe ne poezi nen emrin kubofuturizem, sic duket per t'u dalluar pak nga futurizmi italian i Marinettit. Perfaqesuesit me te medhenje te futurizmit rus ne poezi pa dyshim jane Khlebnikovi, Majakovski dhe Severianini, duke mos lene pa permendur Pasternakun dhe Cvetajeven, te cilet ne fillim kane qene idhtare te futuristeve dhe ndofta miq te tyre. Ne pergjithesi, ne qender te kesaj rryme ishte levizja dhe dinamizmi kaotik, i shprehur me anen e linjave, formave dhe ngjyrave abstrakte ne pikture; zhurmave ne muzike; fjaleve bucitese dhe pa kuptim me nje figuracion absurd plot paradokse dhe teper hutuese ne poezi. Me keto mjete i kendohej kultit te makinave dhe teknikes, qyteteve te medha, fabrikave, metalit dhe rrugeve. Futuristet rus, duke luftuar per lirine e artit te se ardhmes, shprehnin shpirtin kryengrites te perzier me anarkizem dhe nihilizem. Te dehur nga pasioni per artin e se ardhmes, ata mohonin cdo tradite, duke e quajtur trashegimine e shekujve te shkuar si pengese per progresin. Por me shpirtin e tyre revoltues i dhane poezise ruse nje sistem te ri figurativ, pasuruan shprehjet abstrakte metaforike me absurdin dhe paradoksin jashte monotonise dhe ambietalizmit tradicional te poezise. Si revoltues kunder pershtatshmerise mikroqytetare, shume futuriste u hodhen ne anen e Revolucionit te Tetorit, si Majakovski, Khlebnikovi dhe ne fillim edhe Pasternaku me Cvetajeven. Doemos me vone ata u zhgenjyen nga frytet e ketij revolucioni, ashtu sic u zhgenjye edhe Bllok, autori i te famshmes poeme per revolucionin "Te dymbedhjetet".

Peisazhi i poezise ruse me vone u plotesua edhe me rryma te tjera, sic ishin imazhinizmi dhe konstruktivizmi; por keto megjithese kishin fiigura te shquara si Esenini, Bagricki dhe Selvinski, nuk i dhane ndonje gje te madhe artit poetik, sic bene simbolizmi, akmeizmi dhe futurizmi. Imazhinizmi dhe konstruktivizmi ishin shartime te thjeshtezuara te akmeizmit dhe te futurizmit. Keshtu imazhinistet kishin kultin e figures thjesht si trop stilistik jo si koncept te gjere figuracioni brenda teresise se krijimtarise poetike. Imazhinistet trillonin figura poetike pa patur ndonje lidhje apo marredhenie te brendshme mes tyre. Ky trillim u quajt "katalog figurash" dhe nuk pati jete te gjate. Me imanizhistet per nje kohe u bashkua edhe Esenini, por ai nuk besohet ta dinte as se cfare ishte kjo rryme e tyre. Sic duket e terhoqi vetem fjala e madhe "imazhinizem". Prandaj edhe u shkeput shpejt prej tyre. Ndersa konstruktivistet, ku grupoheshin Bagricki dhe Selvinski, synonin te zevendesonin figuracionin e artit me nje lloj figurshmerie funksionale. Qellimi i tyre ishte te estetizonin tekniken, duke injoruar karakterin dhe frymen kombetare te poezise dhe te artit ne pergjithesi. Si ta themi, ne kete koncept ata afroheshin me futuristet, por edhe me nje mendim teper te thjeshtezuar.

Zhurmemedhenj, debatues, kundershtues dhe revoltues, te tille erdhen poetet ruse deri ne prag te viteve 30-te te ketij shekulli. Pastaj ndodhi ajo qe pritej:- te gjitha rrymat dhe shkollat u ndaluan nga shteti sovjetik per te mbreteruar vetem nje rryme apo inondate, e quajtura metoda e realizmit socialist. Dhe atehere mbaroi "Shekulli i argjendte" ne poezine ruse, shekull qe me format dhe konceptet moderne qe solli, nuk e mahniti pak Evropen. Shume perfaqesues te ketij "Shekulli te argjendte" u arratisen nga Rusia, shume te tjere heshten ne krijimtari, plot u ndaluan te botonin, nje pjese u internua dhe u burgos, disa vdiqen dhe disa vrane veten si Esenini, Majakovski dhe Cvetajeva.

"Shekulli i argjendte" me madheshtine e tij me ka joshur qe kur kam qene student ne Sankt-Petersburg. Atehere ishte veshtire te gjeje te plote poezine e rrymave, qe permenda ne keto shenime, por, sic i thone nje fjale, ai qe kerkon gjen. Ne Sankt-Petersburg, me anen e kolegeve ruse, une u pajisa me nje libreze per ne Biblioteken e Akademise dhe atje lexova mjaft libra te ndaluar te simbolisteve, futuristeve, akmeisteve, imazhinisteve dhe konstruktivisteve doemos vetem ato qe gjendeshin, qofte edhe te ardhura me porosi nga Perendimi, ku botoheshin ne gjuhen ruse. Une nuk mund te them se te gjithe ishin te ndaluar apo te rezervuar. Neper librarite dhe ne bibliotekat e zakonshme i gjeje lirshem simbolistet e vjeter dhe te rinj si Brjusovin, Bllokun, dhe Bjellin; i gjeje akmeistet, imazhinistet dhe futuristet si Ahmatoven, Eseninin, Pasternakun dhe natyrisht Majakovskin, sido qe botimet ishin mjaft te reduktuara dhe te seleksionuara me imtesi nga cenzura. Keta poete asnjehere nuk botoheshin te plote, duke perfshire edhe vete Majakovskin. Ndersa nuk mund te behej fjale per t'i gjetur lehte ne librari te botuar apo per t'i lexuar lirisht ne biblioteka poete si Balmontin, Sollogubin, Gumilovin, Mandelshtamin, Gippiusin, Severjaninin, Hodasevicin, Ivanovin , Khlebnikovin dhe Cvetajeva.

Endrra ime ishte te shqiperoja nga poezia e te gjithe ketyre poeteve dhe ne te ardhmen te botoja nje liber. Fillova te perkthej nga Bagricki, Majakovski, Esenini, Kedrini dhe nga ndonje tjeter. Madje nga Bagricki me 1961-shin botova ne Tirane nje permbledhje te vogel me shqiperime.

Dhe sot, si nje fryt te nje pune shume vjecare, erdhi koha te botoj permbledhjen e gjere me shqiperime "Shekulli i argjendte" me njezet perfaqesuesit me te medhenj te tij. Ne pergatitjen e kesaj permbledhjeje veshtiresite nuka kane qene te pakta. E para, poezia e simbolisteve dhe akmeisteve eshte fjale-muzike me variante ritmesh dhe rimash nga me te cuditshmet dhe me epitete metaforike tere ngjyra, qe te kujtojne vargjet e Lasgush Poradecit, - qe edhe ai ishte simbolist dhe kishte te njejten metode krijimi. Merreni me mend sa veshtire do ta kishin te huajt te perkthenin Lasgushin! E dyta, nje radhe poetesh, vecanerisht futuristet, po edhe ndonje akmeist dhe konstruktivist, jane te erret deri ne hermetizem dhe irracionalizem. Ne mjaft vjersha te tille jane Khlebnikovi, Majakovski, Pasternaku por edhe Mandelshtami se akmeist dhe Cvatajeva si simpatizante e futuristeve. E treta, eshte veshtiresia e dhenies ne shqip te misticizmit, qe shpesh tek simbolistet dhe tek akmeistet eshte i mjegullt dhe i pakuptueshem si poezi jo si filozofi.

Megjithate, shqipja jone e bekuar eshte aq e pasur dhe fjala e saj leviz ne nje hapesire aq te gjere, sa te gjitha mendimet, tingujt dhe ngjyrat e cdo gjuhe mund t'i jape te plota, ndofta dhe me bukur, mjafton qe shqiperuesi te jete si Noli apo si Kuteli.

Dritero Agolli
Korrik 1999